Trafiku, gati Qendra e Kontrollit, monitorim në 200 km autostradë
Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut është gati për nisjen e funksionimit, teksa aktualisht po kryhet testimi final.
Rreth 200 km rrugë kombëtare do të monitorohen me kamera, duke eleminuar qëndrimin e njësive të policisë rrugore si dhe duke rritur sigurinë.
“200 kilometrat e para kanë mbuluar autostradat kryesore të vendit, pra Tiranë -Durrës, Durrës -Rrogozhinë, Rrogozhinë - Fier, Fier- Vlorë dhe të gjitha akset e tjera, të cilat janë akset kryesore, për të vazhduar pastaj me fazën e dytë, dhe synimi ynë është që ne të mbulojmë në fazën finale 3650 kilometra, të cilat janë aset i autoritetit rrugor shqiptar të inventarit”, - tha ministrja e Infrastrukutrës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Sipas kryeministrit Edi Rama me ngritjen e kësaj Qendre nis një kapitull i ri në administrimin e territorit dhe të asistencës për qytetarët në të gjitha nivelet.
“Në nivelin e sigurisë rrugore, në nivelin e urgjencës mjekësore, në nivelin e emergjencave civile dhe është një detyrim i madh që do ta shoqërojmë me një reformë, ku të gjitha urgjencat dhe të gjitha thirrjet dhe të gjithë këto drejtime të janë të unifikuara.
Kjo është ajo që na duhet, ndërkohë që gjithë kjo qendër moderne e monitorimit do të mbështetet nga sistemi i qyteteve të zgjuar ose Smart City me rrjetin e kamerave inteligjente dhe inteligjencën artificiale që do të bëjnë të mundur që në kohë reale të mblidhet i gjithë informacioni në çdo metër”, - tha Rama.
Qendra do të funksionojë me 122 operatorë dhe do të mundësojë monitorim e rrugëve 24/7 si dhe koordinim mes Policisë Rrugore, Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Emergjencave Civile. /Scan